Lindi në Elbasan Mahir Domi, gjuhëtar, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Studimet e mesme i nisi në Normalen e Elbasanit dhe i vazhdoi e i përfundoi në Liceun Kombëtar (francez) të Korçës (1937). Ndoqi studimet e larta për filologji klasike dhe u diplomua në Universitetin e Grënoblës (Francë), më 1941. Po atë vit filloi punën si mësues e më pas si drejtor në Shkollën Normale të Elbasanit. Që nga viti 1947, punonjës në Institutin e Shkencave, njëkohësisht pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik. Mori pjesë në hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954). Me themelimin e Universitetit të Tiranës, u caktua përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe (1957–1962) dhe i sektorit të gramatikës e dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1957–1991). Ka dhënë lëndët: sintaksa e gjuhës shqipe, morfologjia historike e shqipes dhe historia e albanologjisë. Veprimtaria shkencore e Mahir Domit shtrihet në shumë fusha të shkencave filologjike: në gramatikë (sintaksë e morfologji), histori e gjuhës, histori e albanologjisë, dialektologji e onomastikë, gjuhësi normative dhe kulturë e gjuhës, kritikë shkencore, histori e letërsisë etj. Ka hartuar tekstet universitare “Morfologjia historike e shqipes” (1961) dhe “Sintaksa e gjuhës shqipe”, pjesa I (1968), pjesa II (1969). Ka shkruar dhe një varg artikujsh dhe studimesh sintaksore për çështje të përgjithshme të sintaksës së shqipes dhe të zhvillimit të strukturës së saj. Në fushën e historisë së gjuhës ka shkruar disa artikuj e referate për problemin e origjinës së gjuhës shqipe dhe për çështje të marrëdhënieve të gjuhës shqipe me gjuhë të Ballkanit, sidomos me rumanishten, si: “Prapashtesa ilire dhe shqipe, përkime dhe paralelizma” (1974), “Konsiderata mbi tiparet e përbashkëta të shqipes me gjuhët ballkanike dhe mbi studimin e tyre” (1975), “Mbi disa përkime dhe paralelizma sintaksore shqipe-rumune” (1977), “Probleme të historisë së formimit të gjuhës shqipe, arritje dhe detyra” (1982). Anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Ka marrë pjesë në komisionet hartuese të një vargu fjalorësh terminologjikë, ndër të cilët edhe “Fjalori i termave të gjuhësisë” (1975). Si autor i një vargu recensionesh, ka sjellë ndihmesë në zhvillimin e kritikës shkencore, duke i hapur rrugën hartimit të një historie të mendimit gjuhësor shqiptar. Ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të shkallës së parë. (Në fotografi: Mahir Domi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 504–505.
Fotografia: © https://ata.gov.al/
Përpunim grafik: AHCF




