Në Ejaninë të krahinës së Kozencës, lindi Lluka Perrone, mbledhës e studiues i folklorit dhe i traditave kulturore arbëreshe, poet. Kreu studimet e larta për jurisprudencë dhe letërsi frënge. Lluka Perrone qe një nga intelektualët arbëreshë më aktivë për mbrojtjen dhe zhvillimin e traditave kulturore arbëreshe. Në vitin 1960, i ngarkuar nga Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe i Universitetit të Romës (i drejtuar nga Ernest Koliqi), filloi mbledhjen sistematike të folklorit arbëresh në Kalabri. Një pjesë e lëndës u botua në vëllimin “Novellistica italo-albanese” (Firence, 1967), ku janë përfshirë 179 njësi të mbledhura në fshatra të krahinës së Kozencës dhe të sistemuara sipas katalogut ndërkombëtar të përrallave; vëllimi tjetër, “Përralla nga Arbëria e Kutronit” (Kozencë, 2004), përmban 46 njësi të mbledhura në fshatrat Shën Koll, Karfici e Puheri. Botoi artikuj studimorë e materiale në disa revista. Lluka Perrone botoi edhe përmbledhje me poezi, të frymëzuara nga dashuria për vlerat morale të botës shpirtërore arbëreshe, si “Lule shkëmbi” (Kozencë, 1968), “Vjershë lirie” (Kastrovilari, 1971) etj. (Në fotografi: Lluka Perrone)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1991.
Fotografia: © Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Përpunim grafik: AHCF




