Filloi Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës. Kryengritja shqiptare e vitit 1911 përfundoi me një marrëveshje gjysmake, për shkak se nuk arriti të shndërrohej në një kryengritje të përgjithshme. Megjithatë, u arrit të vendosen kontakte midis kryengritësve të Shqipërisë së Veriut e asaj të Jugut, si dhe me kolonitë. Atdhetarë të njohur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si Ismail Qemali, Pandeli Cale, Salih Hoxha etj., u gjendën ato ditë në Mal të Zi, pranë malësorëve. Nikollë Ivanaj, Themistokli Gërmenji e Ismail Qemali shkuan gjithashtu në kolonitë për të siguruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Luigj Gurakuqi, Nikollë Ivanaj, Fadil Toptani e Themistokli Gërmenji vajtën edhe në Korfuz, për të punuar që andej për zgjerimin e kryengritjes në jug të vendit. Por, në kohën kur kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës ishte në kulmin e saj, krahinat e tjera ngurruan të ngriheshin. Kosova, e cila nuk kishte kapërcyer pasojat rrënuese të ekspeditës së Shefqet Turgut pashës të vitit 1910, e pati të vështirë të hidhej në kryengritje, kurse Mirdita, nën ndikimin e Preng Bib Dodës dhe e çoroditur nga aksioni i Terenc Toçit, mbajti përgjithësisht qëndrim pritës. Komitetet e Jugut, të shqetësuar nga qëndrimi armiqësor i qeverisë greke, ngurruan të fillonin kryengritjen qysh në periudhën e parë, në maj – fillimi i qershorit, kur situata ishte më e volitshme për shpërthimin e saj. Lëvizja kryengritëse në Shqipërinë e Jugut shpërtheu në korrik-gusht të vitit 1911, kur kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut kishte filluar të binte e të dobësohej. Kryengritja e vitit 1911 shënoi një hap cilësor përpara në organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë më të lartë ndërgjegjen politike të shqiptarëve. Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës i detyroi pushtuesit osmanë të hynin në bisedime me shqiptarët dhe t’u bënin atyre disa lëshime; mund të cilësohet si prologu i Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912. (Në fotografi: Kryengritës të Malësisë së Madhe, më 1911.)
Teksti: Historia e Popullit Shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 444-460.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




