Më 15 prill 1924, në Shkodër lindi Jup Kastrati, filolog, profesor, Mësues i Popullit. Në vendlindje kreu shkollën e mesme, kurse studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë. Punoi disa vite si mësues gjimnazi. Në vitet 1958–1993 punoi si pedagog i gjuhës shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku qe dhe përgjegjës i katedrës (1973–1990). Veprimtaria e tij shkencore shtrihet në disa fusha: histori e gjuhësisë shqiptare dhe e albanologjisë, histori e letërsisë shqiptare (në veçanti e letërsisë arbëreshe), dialektologji, folklori shqiptar e arbëresh, histori e shkollës shqipe dhe e mendimit pedagogjik, bibliografi. Ka botuar një varg veprash, si: “Bibliografia shqipe” (Tiranë, 1959), “Jeronim de Rada; Jeta dhe veprat” (Tiranë, 1979), “Historia e gramatologjisë shqiptare (1635–1944)” (Prishtinë, 1980); “Zef Jubani: jeta dhe veprat” (Tiranë, 1987); “Faik Konica: jeta dhe veprat” (Nju-Jork, 1995) etj. Jup Kastrati ka botuar një varg artikujsh e studimesh brenda e jashtë vendit, ka dhënë ndihmesë për zhvillimin e veprimtarive e të botimeve albanologjike në Universitetin e Shkodrës. Jup Kastrati ka gjurmuar e ka vënë në qarkullim shkencor fakte e shkrime me interes, pak të njohura ose të panjohura, dhe ka bërë të ndriçohen e të vlerësohen më mirë aspekte të punës së disa lëvruesve e studiuesve të gjuhës shqipe. Është dekoruar më Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”. (Në fotografi: Jup Kastrati)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1133.
Fotografia: © Qendra e Studimeve dhe Publikimeve pë Arbëreshët
Përpunim grafik: AHCF




