Më 12 prill 1902, në Shkodër lindi Gjuzepina Kosturi (1912–1995), këngëtare soprano, Artiste e Merituar. Studimet e larta muzikore i kreu në Akademinë “Santa Cecilia” të Romës, ku u diplomua si këngëtare lirike (1937). Në nëntor 1945 u bë pjesëtare e grupit të artistëve lirikë shqiptarë, me të cilët debutoi në koncertin e parë të organizuar në Shqipërinë e çliruar dhe në koncerte të tjera. Veprimtarinë skenike e filloi me premierën e operës “Rusalka” të Dragomirskit (1953). Me krijimin e Teatrit të Operës dhe Baletit u përfshi në grupin e solistëve, duke realizuar disa nga figurat kryesore të repertorit operistik të kohës: Çio-Çio-san (“Madame Baterflaj”, Puçini), Santuca (“Kavaleria Rustikana”, Maskanji), Violeta (“Traviata”, Verdi) etj. Për detajin interpretues vokalo-skenik, ndjeshmërinë poetike, muzikalitetin shumë të spikatur, temperamentin e veçantë artistik, rolet e saj mbeten modele të interpretimit të skenës operistike shqiptare; po ashtu edhe interpretimet koncertore të arieve të Toskës (“Toska”, Puçini) e Margaritës (“Mefistofel”, Boito) etj., me të cilat u përfaqësua në skenat shqiptare dhe të huaja. Ishte një ndër pedagoget e kantos në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1964–1970) dhe në Konservatorin e Tiranës. (Në fotografi: Gjuzepina Kosturi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1325.
Fotografia: © https://www.shkodradaily.com/
Përpunim grafik: AHCF




