U nda nga jeta në Torino psikologu i parë italian me origjinë arbëreshe, Gabriel Bukola (Gabriele Buccola). Lindi në fshatin Munxifsi (Mezzoiuso) të Sicilisë, në vitin 1854. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Palermos në vitet 1874 deri më 1879, për mjekësi. Pas studimeve, filloi punën si mjek në spitalin e të sëmurëve mendorë të Rexhio-Emilias, nën drejtimin e Augusto Tamburini-t i cili e inkurajon të thellojë më tej studimet e para eksperimentale në fushat e fiziologjisë dhe të psikologjisë, sipas modeleve kërkimore që aplikoheshin në Gjermani dhe Angli. Më 1881, fitoi konkursin në Institutin Psikiatrik Universitar të Torinos. Në vitin 1883, publikoi edhe veprën e tij themelore “Ligji i kohës në fenomenet e mendimit; sprovë psikologjike eksperimentale”. Kjo vepër përbën edhe kërkimin e parë të plotë në fushën e psikologjisë eksperimentale në Itali, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në vitin 1884, shkoi për specializim në Munih, në Klinikën psikiatrike të drejtuar nga Johann Bernhard Aloys von Gudden. Ndonëse vdiq në moshë fare të re, 31 vjeç, Bukola la pas 33 punime shkencore në fushën e psikologjisë eksperimentale. Në vitin 1907, komuna e Palermos vendosi të nderojë kujtimin e tij, duke vendosur që eshtrat e tij të prehen në “panteonin” e personaliteteve më të shquara të qytetit, në Kishën e Shën Domenikos. (Në fotografi: Gabriel Bukola)
Teksti: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Fotografia: © https://www.aspi.unimib.it/collections/entity/detail/34/
Përpunim grafik: AHCF




