Më 2 prill 1981, në Kosovë u zhvilluan demonstratat të cilat u shtrinë në shumë fshatra dhe në qytetet kryesore. Me studentët u bashkuan nxënës të shkollave të mesme e fillore, profesorë dhe mësues, intelektualë, punëtorë. Kërkesa mbizotëruese e demonstruesve ishte: “Kosova Republikë”. Tanket e armatës jugosllave hynë në Kosovë, ndërsa ushtria e milicia e ardhur nga republikat e tjera vunë nën ruajtje zyrat e institucionet kryesore të Kosovës. Më 2 dhe 3 prill të vitit 1981 ranë dëshmorë: në Prishtinë: Naser Hajrizi, Asllan Pireva dhe Xhelal Maliqi; në Ferizaj: Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu; në Vushtri: Salih Zeka, Salih Abazi dhe Ruzhdi Hyseni; në Mitrovicë: Sokol Bajrami. Dhuna ushtarako-policore jugosllave që u përdor për shtypjen e demonstratës, mbajti të ndezur zjarrin e luftës për liri, të drejta kombëtare dhe për mbijetesë të shqiptarëve të Kosovës. Shteti shqiptar përkrahu kërkesën e demonstruesve “Kosova Republikë” dhe dënoi dhunën ushtarako-policore jugosllave mbi shqiptarët. (Në fotografi: Demonstrata e 2 prillit 1981 në Prishtinë)
Teksti: Jusuf Buxhovi, Kosova; 1945–1999 – Vëll. V, “Prograf”, Prishtinë, 2022, faqe 146–147.
Fotografia: © https://pashtriku.beepworld.de/
Përpunim grafik: AHCF




