Më 11 prill 1872, në Drenovë të Korçës lindi Asdreni (Aleksandër Stavre Drenova), poet dhe veprimtar patriot, autor i Himnit të Flamurit. Shkollimin e mesëm e nisi në gjimnazin e qytetit të lindjes. I mbetur jetim, mërgoi në Rumani (1885); u rikthye në atdhe disa herë (1889, 1914, 1937) për pak kohë. Ndërsa siguronte me punë të rënda jetesën, kreu Akademinë Tregtare të Bukureshtit dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të atjeshëm, të cilin nuk arriti ta përfundonte. Asdreni ka qenë veprimtar i shquar i kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe sekretar i saj për një periudhë të gjatë (1913–1925); gjatë viteve 1922–1934 shërbeu, me disa ndërprerje, si sekretar i Konsullatës Shqiptare në Bukuresht. Asdreni mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912, në të cilën u vendos të shpallet pavarësia e Shqipërisë. “Betimi mi flamur” e vjersha të tjera të muzikuara të tij me frymëzim atdhetar luajtën një rol të shënuar në forcimin e ndërgjegjes kombëtare në prag e pas shpalljes së pavarësisë dhe në periudhën e konsolidimit të shtetit shqiptar. I shqetësuar gjithnjë për fatet e atdheut trajtoi në periodikë të kohës (“Albania”, “Drita”, “Shqipëria e re” etj.) probleme politike e shoqërore përmes një varg artikujsh me orientim demokratik e frymë konstruktive. Fillimet letrare të Asdrenit (1901) lidhen me revistën “Albania” të Faik Konicës. Botoi në intervale të gjata kohe vëllime poetike: “Reze djelli” (1904), “Psallme murgu” (1931) etj. Duke marrë parasysh gjendjen e sistemit letrar shqiptar, me shkallën e lartë të talentit të tij Asdreni u bë një urë lidhëse mes letërsisë së Rilindjes Kombëtare dhe letërsisë moderne, duke zënë një pozicion të veçantë në të. Idealist i përkushtuar, Asdreni e mbylli jetën në varfëri të plotë. Vdiq në Bukuresht. Eshtrat e Asdrenit u sollën atdhe më 1972 dhe u prehën në Drenovë. (Në fotografi: Asdreni – Aleksandër Stavre Drenova)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 135.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Aleksand%C3%ABr_Stavre_Drenova
Përpunim grafik: AHCF




