Lindi në Shkodër Anton Ashta (1895–1977), mjek malariolog dhe doktor i shkencave. Ndoqi studimet e larta për mjekësi në Romë (1915–1921). U emërua mjek i përgjithshëm në Lezhë (1922–1923) dhe në Shkodër (1923–1928). Në vitet 1928–1929 kreu një specializim në Shkollën e Lartë të Malaries, në Romë. Me kthimin në atdhe, shërbeu si mjek malariolog në Bashkinë e Tiranës dhe kryespecialist për çrrënjosjen e malaries (1929–1945). Në vitet 1945–1966, qe përgjegjës i seksionit antimalarik pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Falë punës dhe përpjekjeve të Anton Ashtës dhe bashkëpunëtorëve të tij, u arrit që të zhdukej malaria në Shqipëri (1960). Botoi monografinë “Malaria” (1932), studimi i parë shkencor mbi këtë sëmundje në vendin tonë, dhe librin “Malaria në Shqipëri” (1961). Anton Ashta qe anëtar i komisionit të ekspertëve të malaries në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (1957–1970). Ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë. (Në fotografi: Anton Ashta)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 138.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Rexhep_Mala
Përpunim grafik: AHCF




