U nda nga jeta Aleksandër Moisiu, aktor i njohur botëror me prejardhje shqiptare, Artist i Popullit (pas vdekjes). Lindi në Trieste. Rridhte nga familja shqiptare e Moisive me origjinë nga Kavaja. Shkollën e mesme e kreu në Grac (Austri), më 1898. Pas vdekjes së të atit, familja u vendos në Vjenë. Për një kohë të shkurtër Aleksandër Moisiu ndoqi Konservatorin e Vjenës, por për arsye ekonomike u detyrua të punojë si duartrokitës në Opera dhe si figurant në Burgteatër. Veprimtarinë si aktor Aleksandër Moisiu e nisi më 1899 ,në skenën e Burgteatrit. Më 1903, debutoi me sukses në Teatrin gjerman të Pragës. Më 1905, e mori në teatrin e tij regjisori i njohur Maks Rajnhard (Max Reihardt), duke i dhënë mundësi që të shprehte aftësitë e tij e të vlerësohej si aktor në rolet e Osvaldit (“Fantazmat”, H. Ibsen), Hamletit (Shekspir) etj. Vetëm rolin e Fedjas nga drama “Kufoma e gjallë” e Leon Tolstoit e interpretoi 1200 herë, duke dhënë me mjeshtëri të lartë ankthin ekzistencial të njeriut përballë vdekjes. Më 1917 mori një certifikatë, ku dëshmohej kombësia e tij shqiptare. Në vitet 1924–1929 dha shfaqje në Moskë, në Leningrad, në Paris, si dhe në qytetet kryesore të Amerikës së Veriut; në vitin 1931, bëri një turne në Amerikën e Jugut. Për shkak të përndjekjeve naziste (duke e dyshuar si hebre për shkak të mbiemrit), më 1932 Aleksandër Moisiu u largua nga Gjermania dhe u vendos në Zvicër. Më 1933, plotësoi dokumentet në ambasadën e Shqipërisë në Vjenë, për të marrë nënshtetësinë shqiptare, e cila iu dha në prill 1934. Vdiq para kohe, në kulmin e krijimtarisë së tij skenike, në Vjenë (Austri). Aleksandër Moisiu spikati në historinë e artit skenik botëror sidomos për interpretimin e tij origjinal, temperamentin e fuqishëm, thellimin filozofik, lirizmin dhe bukurinë poetike të personazheve. Mbresa la edhe për zërin e tij, që kishte tingëllim të veçantë. Emrin e Aleksandër Moisiut e mbajnë Pallati i Kulturës, teatri dramatik dhe universiteti i qytetit Durrësit, si edhe një shesh në Trieste. Në Vjenë dhe në Durrës ka muze për Aleksandër Moisiun. (Në fotografi: Aleksandër Moisiu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1754–1755.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Aleksand%C3%ABr_Moisiu
Përpunim grafik: AHCF




