Në fshatin Vuno të Himarës lindi Foto Bala, profesor i filozofisë dhe i letërsisë. Kreu gjysmëgjimnazin e Gjirokastrës, Liceun e Korçës dhe studimet e larta në Montpellier të Francës, gjithnjë së bashku me Enver Hoxhën. Më 1945, u caktua profesor në gjimnazin e Gjirokastrës. Po këtë vit i ekzekutuan të atin, Dhimitër Balën. U arrestua një vit më vonë (1946), me akuzën se kishte krijuar grupin e neoballistëve dhe se ishte agjent anglo-amerikan-francez. Në vitin 1947, u dënua me burgim të përjetshëm. Më 14 maj të po atij viti, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës së Qendrës Korçë vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. U lirua në vitin 1964. Vdiq më 1991. (Në fotografi: Foto Bala)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 145.
Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Përpunim grafik: AHCF




