Në spitalin “Gemelli” në Romë (Itali) u nda nga jeta at Zef Pllumi, meshtar françeskan, shkrimtar. Lindi në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin, në vitin 1924, në një familje me origjinë nga Shkreli. U pagëzua me emrin Prenkë. Në vitin 1929, në moshën 5-vjeçare, u bë nxënës i misionarit gjerman Alfons Tracki, në Velipojë. Në vitin 1931 hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943–1944 bashkëpunoi me revistën “Hylli i Dritës” dhe u zgjodh sekretar personal i at Anton Harapit. Ishte 22 vjeç kur, më 14 dhjetor 1946, u arrestua dhe u dënua me tre vjet burg. Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte sepse komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe se nga ai mund të nxirrnin informata. Dënim e vuajti në “Burgun e madh” të Shkodrës, në kampet e Bedenit në Myzeqe dhe të Orman-Pojanit në Maliq të Korçës. Pas lirimit u kthye në Kuvendin Françeskan. Në vitet 1949–1951 u mor me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 u shugurua meshtar dhe, për 12 vjet shërbeu si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku u nis më 14 shtator 1958, bashkë me at Augustin Ashikun. Në vitin 1967 u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll e Tiranë. U lirua më 1989. Një vit më vonë filloi meshtarinë në Kishën e Shna Nout në Tiranë, deri në vitin 1997. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxori revistën “Hylli i Dritës”. Gjatë këtyre viteve shkroi dhe botoi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”. Në vitin 2006, Presidenti i Republikës e dekoroi me urdhrin “Nderi i Kombit”. Po këtë vit iu dha edhe çmimi letrar “Penda e Artë”, e akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, për trilogjinë me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”. U nda nga jeta në vitin 2007 dhe u varros më 30 shtator 2007, në Shkodër. (Në fotografi: Zef Pllumi)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, “WestPrint”, Tiranë, 2017, faqe 333–334.
Fotografia: © https://kujto.al/personat/ate-zef-pllumi/
Përpunim grafik: AHCF




