Ymer Dishnica

Lexo ngjarje:

U nda nga jeta Ymer Dishnica, veprimtar politik, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe një nga drejtuesit e Partisë së Punës së Shqipërisë. Lindi në Dishnicë të Korçës, në vitin 1912. Kreu Liceun Kombëtar (francez) në Korçë (1932) dhe ndoqi studimet e larta për mjekësi në Lion dhe në Paris (1932–1941). Gjatë këtyre viteve, qe anëtar i Partisë Komuniste Franceze. Si drejtues i grupit të studentëve dhe të shqiptarëve antifashistë, organizoi protesta në mbështetje të qëndresës së popullit shqiptar kundër pushtimit fashist. Pas diplomimit, hapi një klinikë private në Korçë, ku zhvillonte edhe veprimtari ilegale antifashiste. Për shkak të ndjekjeve nga regjimi fashist, kaloi në ilegalitet. Mori pjesë në Konferencën I Nacionalçlirimtare, si delegat i Partisë Komuniste Shqiptare, ku u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Përkohshëm. Në Mbledhjen e Mukjes (1943), ku kryesonte delegacionin e Partisë Komuniste Shqiptare, pranoi platformën e propozuar nga Balli Kombëtar për krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë. Për këtë u kritikua ashpër për lëshime ndaj Ballit Kombëtar në Konferencën II Nacionalçlirimtare dhe në Plenumin e Partisë Komuniste Shqiptare të zhvilluar në Helmës (maj 1944). Në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar në Berat (1944), u emërua ministër i Shëndetësisë në qeverinë demokratike të Shqipërisë. Më 1947, u shkarkua nga detyra e ministrit të Shëndetësisë dhe u vu në dispozicion të Ministrisë së Jashtme, si përkthyes. Në qershor 1955 u arrestua dhe u dënua me gjashtë vjet heqje lirie, me akuzën për agjitacion e propagandë. Pas një viti iu fal dënimi i mbetur dhe deri në fund të regjimit komunist, qëndroi i izoluar në Berat. Më 1994 u zgjodh kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës. (Në fotografi: Ymer Dishnica)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 490.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Ymer_Dishnica

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img