Lindi në Gllamnik të Podujevës lindi Xhemail Mustafa, shkrimtar, publicist, veprimtar politik. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në vendlindje dhe në Podujevë, më pas ndoqi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Njëkohësisht ndoqi studimet edhe për gazetari. Në vitin 1978 nis të punojë në gazetën “Rilindja”, fillimisht si gazetar i rubrikës së kulturës e më vonë edhe redaktor i saj. Në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, u përfshi në zhvillimet politike të kohës, duke u bërë një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Më pas për shumë vjet ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zëdhënës i saj. Në vitin 1998 botoi veprën me vështrime kritike “Mrekullia e shkrimit” dhe dy vite më vonë botoi librin e tij të dytë “Një lutje për Prishtinën” (2000). Në këtë vepër përshkroi ditët dhe netët e tmerrit në Prishtinën në kohën e bombardimeve të NATO-s dhe të gjendjes së terrorit që ushtronin forcat serbe mbi qytetarët e Kosovës. Vepra është e ndërtuar në formë të një ditari për “78 net të frikës, kurajës dhe shpresës”, sa zgjati operacioni i NATO-s në caqet serbe në Kosovë dhe Serbi. Xhemail Mustafa u vra në një atentat afër banesës së tij në Prishtinë, në vitin 2000. Një shkollë fillore në Prishtinë mori emrin e tij (2004), ndërsa Fondacioni “Ibrahim Rugova” botoi krijimtarinë e plotë të Xhemail Mustafës në dy vëllime (2012). (Në fotografi: Xhemail Mustafa)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1164.
Fotografia: © https://www.kultplus.com/lajme/20-vite-nga-vrasja-e-intelektualit-xhemail-mustafa/
Përpunim grafik: AHCF




