Në Gjirokastër lindi Xhanfize (Çipi) Keko, regjisore e filmit, Artiste e Popullit. Në vitet 1950–1952 kreu një kurs për montazhin në Moskë dhe filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku themeloi sektorin e montazhit (1952). Punoi për filmat kronikalë e dokumentarë dhe nga viti 1966 si regjisore montazhi në filmat artistikë. Si regjisore Xhanfize Keko u bë e njohur nëpërmjet filmave që trajtojnë me natyrshmëri e vërtetësi temën dhe botën e fëmijëve, si: “Tingujt dhe fëmijët” (1970), “A. B. C. … Zh” (1971), “Mimoza llastica” (1973), “Beni ecën vetë” (1975), “Tinguj lufte” (1976), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Kur po xhirohej një film” (1981) dhe “Taulanti kërkon një motër” (1984). Në krijimtarinë e saj bëjnë pjesë rreth 18 filma kronikalë e dokumentarë dhe 12 filma artistikë. Disa prej tyre janë nderuar me çmime dhe medalje në festivale të filmit në vend dhe jashtë. Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë. U nda nga jeta në vitin 2007. (Në fotografi: Xhanfise Keko)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1147–1148.
Fotografia: © https://www.kultplus.com/teatri/sot-90-vjetori-i-lindjes-se-regjisores-xhanfise-keko/
Përpunim grafik: AHCF




