Në Peshkopi lindi Vasillaq Vangjeli, aktor. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve, në vitin 1976 filloi punë si aktor në Estradën e Tiranës. Ka punuar si regjisor në këtë teatër nga viti 1976 deri më 1982. Ka luajtur mbi 300 role në komedi të shkurtra, skeçe, monologë dhe spikati veçanërisht në llojin e kupletit dhe të parodisë. U dallua për një zë të këndshëm, aftësi muzikore në instrumentin e fizarmonikës, cilësi që e kanë ndihmuar për një prani aktoriale sa më aktive në njëmendësimin me hijeshi të shumë parodive a kupleteve. Ka interpretuar po ashtu mbi 15 role në filma artistikë dhe telefilma. Bëri zë qysh herët me rolin e skulptorit spekulant, Koçit, në komedinë e Ruzhdi Pulahës “Zonja nga qyteti” (1976), sikurse edhe në filmin gjegjës me po këtë titull, ku shëmbëlleu në pamje groteske dhe me një tallje të hapur tipin ekscentrik e të budallallepsur, kinse artistin e madh, pretendentin komik e të papërshtatshëm për t’u fejuar me Melin, bijën e Ollgës. Në vitet 1992–1993 krijoi një nga figurat më mbresëlënëse, atë të komandantit, në komedinë dhe më pas telefilmin me tri seri “Gjuetia e fundit”, me skenar dhe regji të Koço Devoles. Shpotia e tij ndaj figurës së diktatorit komunist, Enver Hoxhës, ishte e besueshme, paçka se e paraqitur në rrafshe groteske, si dhe falë një qëndrimi sarkastik të natyrës sfiduese e përtallëse. Në rrafshe sarkastike ka mishëruar disa role të tjera të goditura, të luajtura në skenën e estradës apo në telefilma, si hetuesi te “Revolja e heroit” (1995), doktori te “Çanta e zezë” (1996) etj. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri”, klasi I. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2011. (Në fotografi: Vasillaq Vangjeli)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://gazetavatra.com/perkujtojme-aktorin-vasillaq-vangjeli/
Përpunim grafik: AHCF




