Vasillaq Vangjeli

Lexo ngjarje:

Në Tiranë u nda nga jeta Vasillaq Vangjeli, aktor. Lindi në Peshkopi, në vitin 1948. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve, filloi punë si aktor në Estradën e Tiranës më 1976. Ka punuar si regjisor në këtë teatër nga viti 1976 deri më 1982. Ka luajtur mbi 300 role në komedi të shkurtra, skeçe, monologë dhe spikati veçanërisht në llojin e kupletit dhe të parodisë. U dallua për një zë të këndshëm, aftësi muzikore në instrumentin e fizarmonikës, cilësi që e kanë ndihmuar për një prani aktoriale sa më aktive në njëmendësimin me hijeshi të shumë parodive a kupleteve. Ka interpretuar po ashtu mbi 15 role në filma artistikë dhe telefilma. Bëri zë qysh herët me rolin e skulptorit spekulant, Koçit, në komedinë e Ruzhdi Pulahës “Zonja nga qyteti” (1976), sikurse edhe në filmin gjegjës me po këtë titull, ku shëmbëlleu në pamje groteske dhe me një tallje të hapur tipin ekscentrik e të budallallepsur, kinse artistin e madh, pretendentin komik e të papërshtatshëm për t’u fejuar me Melin, bijën e Ollgës. Në vitet 1992–1993 krijoi një nga figurat më mbresëlënëse, atë të komandantit, në komedinë dhe më pas telefilmin me tri seri “Gjuetia e fundit”, me skenar dhe regji të Koço Devole. Shpotia e tij ndaj figurës së diktatorit komunist, Enver Hoxhës, ishte e besueshme, paçka se e paraqitur në rrafshe groteske si dhe falë një qëndrimi sarkastik të natyrës sfiduese e përtallëse. Në rrafshe sarkastike ka mishëruar disa role të tjera të goditura, të luajtura në skenën e estradës apo në telefilma, si: hetuesi te “Revolja e heroit” (1995), doktori te “Çanta e zezë” (1996) etj. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit I. (Në fotografi: Vasillaq Vangjeli)

Teksti: Josif Papagjoni

Fotografia: © https://gazetavatra.com/perkujtojme-aktorin-vasillaq-vangjeli/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img