Në Staunton, Virginia (SHBA), lindi Udro Uilson (Woodrow Wilson), politikan dhe burrështetas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëri prej udhëheqësve të Partisë Demokratike. Ishte president i SHBA-së gjatë viteve 1913–1921. Më 1913 formuloi doktrinën e tij mbi rendin ndërkombëtar, bazë e të cilit ishin të drejtat universale dhe jo ekuilibri i forcave. Në vitin 1917 e përfshiu SHBA-në në Luftën e Parë Botërore. Në vitin 1918 paraqiti 14 pikat e njohura, në të cilat bëhet fjalë për parimet e vendosjes së paqes botërore. Pas Luftës së Parë Botërore mori pjesë në Konferencën e Paqes në Versajë dhe më vonë hodhi idenë për krijimin e Lidhjes së Kombeve (1919). Senati Amerikan refuzoi paqen e Versajës dhe përfshirjen e SHBA-së në Lidhjen e Kombeve. Presidenti Uilson hodhi poshtë kompromisin e janarit të vitit 1920 për ndarjen e Shqipërisë, të arritur në mes të kryeministrit anglez, francez dhe atij italian. Si rezultat i kundërshtimit të presidentit Uilson, përfaqësuesit anglezë dhe francezë më 26 shkurt 1920 njoftuan se hiqnin dorë nga kjo nismë. Uilson mori çmimin “Nobel për paqe” në vitin 1919. U nda nga jeta në Uashington (SHBA), në vitin 1924. (Në fotografi: Udro Uilson)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1695.
Fotografia: © https://www.britannica.com/biography/Woodrow-Wilson
Përpunim grafik: AHCF




