Në Shkodër lindi Tish Daija, kompozitor, Artist i Popullit, akademik, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Afrimi i tij me muzikën nisi në vitet e fëmijërisë: 6 vjeç këndonte në korin françeskan të Martin Gjokës, më pas ishte anëtar i orkestrës frymore të Prenk Jakovës. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në konservatorin “P. 1. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956). Punoi në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës dhe si udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror i Këngëve dhe i Valleve Popullore (1962–1980). Fillimet kompozicionale, disa këngë me stil popullor (“Çike o mori çike”, “Me lule t’bukra” etj.) të ndikuara nga muzika qytetare shkodrane, u përkasin viteve ’40 të shekullit XX. Në gjysmën e dytë të viteve ’50 të shekullit XX krijimtaria e tij njohu zhvillime të mirëfillta profesioniste me vepra instrumentale dhe orkestrale, si Kuarteti i parë i harqeve (1955) dhe suita orkestrale “Një ditë pikniku” (1955). Me operetën “Lejlaja” (1957) dhe operën “Pranvera” (1960) renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive skenike; me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar. Kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, edhe muzikë filmi. Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, Tish Daija shfaqi prirje të vërteta emancipuese për kohën (“Erë pranverore”, “Natën vonë” etj.). U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2003. (Në fotografi: Tish Daija)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 408.
Fotografia: © https://ata.gov.al/2022/11/03/perkujtohet-artisti-i-popullit-kompozitori-tish-daija/
Përpunim grafik: AHCF




