U themelua Universiteti Shtetëror i Tetovës, institucion i lartë mësimor e shkencor, qendër e rëndësishme e përgatitjes së specialistëve të kualifikuar. Është i hapur dhe i arritshëm për të gjithë ata të cilët, si studentë, mësimdhënës ose bashkëpunëtorë, me cilësitë e veta intelektuale dhe morale, në ambientin e definuar të autonomisë universitare, si pandehje të lirisë akademike të shprehjes individuale dhe të dëshmimit të aftësive dhe cilësive, të japin kontributin e vet në fushën e zhvillimit të arsimit, shkencës dhe profesionalizmit. Periudha 1994–2003 është koha historike e krijimit të Universitetit të Tetovës. Periudha 2004–2010 është periudha e zhvillimit institucional të universitetit dhe koha e modernizimit akademik dhe fizik. Universiteti Shtetëror i Tetovës është afirmuar si një institucion universitar i reformuar, si një qendër e vetme publike në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut për kualifikim, specializim dhe kërkim shkencor. Sot Universiteti Shtetëror i Tetovës është strukturuar në 13 fakultete, 65 programe studimore, 115 drejtime studimore dhe 3 institute kërkimore-shkencore. Universiteti Shtetëror i Tetovës synon të jetë universitet i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, prandaj është i hapur për të gjithë studentët që dëshirojnë të studiojnë, pa dallime nacionale, fetare etj. (Në fotografi: Ndërtesa e Universitetit Shtetëror të Tetovës.)
Teksti: https://unite.edu.mk/rreth-nesh/
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Universiteti_Shtet%C3%ABror_i_Tetov%C3%ABs
Përpunim grafik: AHCF




