U themelua Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, pararendëse e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Në fund të vitit 1976, Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u pranua në Këshillin e Akademive të Shkencave dhe të Arteve të ish-Jugosllavisë. Me Ligjin mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 18 prill 1978, kjo shoqatë u shndërrua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Periudha prej themelimit të saj deri në vitin 1992 shquhet nga përpjekjet për konsolidimin e veprimtarisë së saj shkencore dhe artistike në kuadër të Jugosllavisë. Fillimisht kishte tri seksione: të shkencave shoqërore, të shkencave të natyrës dhe të gjuhës, të letërsisë e të arteve. Në këtë periudhë filloi edhe veprimtaria e saj shkencore dhe artistike, duke përfshirë edhe botimet e para periodike dhe botimet e veçanta të anëtarëve të saj. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Kosovë, me seli në Prishtinë. Është institucion i mëvetësishëm në fushën e shkencës dhe të artit. Veprimtaria e saj është me interes të veçantë publik e kombëtar, qëllimi i së cilës është zhvillimi dhe nxitja e punës kërkimore-shkencore dhe artistike në Kosovë, përkujdesja për zbatimin e arritjeve shkencore dhe për kultivimin e vlerave artistike në vend, si dhe zhvillimi i bashkëpunimit shkencor dhe artistik ndërkombëtar. Akademia përbëhet nga punonjës të shquar të shkencës dhe të artit në vend, ka anëtarë të rregullt, anëtarë korrespondentë, anëtarë të jashtëm dhe anëtarë nderi. Ka tri organe drejtuese kryesore: kuvendin, kryesinë dhe kryetarin. Kuvendi është organi më i lartë, i përbërë nga të gjithë anëtarët e rregullt dhe korrespondentë të saj. Kuvendi është organ vendimmarrës, i cili miraton statutin, rregulloret e ndryshme dhe aktet e tjera normative, planin dhe programin e punës, planin financiar, zgjedh anëtarët e rregullt, anëtarët korrespondentë, anëtarët e jashtëm dhe të nderit, zgjedh kryesinë, krijon seksione, bërthama të studimit, njësi shkencore dhe qendra studimore. Sipas Statutit të ASHAK-ut, detyrat e Akademisë janë: realizimi i projekteve shkencore dhe artistike, botimi i rezultateve të kërkimeve shkencore, botimi i veprave të shkencës dhe të arteve me rëndësi të veçantë për zhvillimin e shkencës dhe të arteve në Kosovë, nxjerrja e botimeve të veta dhe e raporteve të punës, organizimi i tubimeve shkencore, simpoziumeve, konferencave shkencore, sesioneve shkencore, tryezave shkencore, të ekspozitave, koncerteve, konsultave e të tjera; pjesëmarrja në përcaktimin e synimeve të zhvillimit të shkencës dhe të arteve në Kosovë; shprehja e mendimeve dhe e propozimeve mbi zhvillimin e shkencës e të artit etj. ASHAK-u bashkëpunon me institucione simotra në vende të tjera. Ka marrëveshje të veçantë bashkëpunimi, me projekte konkrete, me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, pastaj me Akademinë e Kroacisë, me Akademinë e Sllovenisë, me Akademinë Mbretërore Belge Flamane, me Akademinë Kombëtare Italiane, me Akademinë Britanike, me Akademinë e Shkencave të Getingenit etj. (Në fotografi: Godina e ASHAK, Prishtinë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 31–33.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Akademia_e_Shkencave_dhe_e_Arteve_e_Kosov%C3%ABs
Përpunim grafik: AHCF




