U formua Partia Demokratike me kryetar të komisionit nismëtar Azem Hajdarin. Më 14 shkurt 1991 u zhvillua aktivi i parë i Partisë Demokratike, i cili zgjodhi Komisionin Drejtues me kryetar Sali Berishën. Në Kuvendin e parë të saj (27–29 shtator 1991) Partia Demokratike zgjodhi kryetar Sali Berishën. Në zgjedhjet e 31 marsit 1991, nga 250 vende në Kuvendin Popullor, Partia Demokratike fitoi 75. Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Partia Demokratike fitoi shumicën absolute me 92 deputetë nga 140 vendet e Kuvendit dhe në koalicion me Partinë Republikane (PR), Partinë Socialdemokrate (PSD) dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) formoi qeverinë me kryeministër Aleksandër Meksin. Partia Demokratike qëndroi në pushtet deri në 29 qershor 1997, kur kaloi në opozitë me 27 deputetë. Partitë politike në Shqipëri u krijuan si rezultat i vendosjes së pluralizmit politik. Programet e tyre përmbajnë mbrojtjen e shtetit të së drejtës, të të drejtave të njeriut, të pronës private, si dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut. (Në fotografi: Podiumi ku u shpall themelimi i Partisë Demokratike, 1990.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1947.
Fotografia: © https://www.gazetatema.net/2014/12/11/12-dhjetor-90-themelimi-i-partise-demokratike
Përpunim grafik: AHCF




