Në Prishtinë u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia e parë politike postkomuniste në Kosovë. Ishte partia politike më e madhe e Kosovës e cila fitoi dy zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Kosovës para lufte (1992 dhe 1998) dhe zgjedhjet parlamentare në Kosovën e pasluftës (2001–2004). LDK-ja u formua si bashkim i intelektualëve dhe i popullit të Kosovës, në kohën kur po shpërbëhej Lidhja Komuniste e Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës u angazhua për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe të lirë. Nisma për krijimin e LDK-së rrodhi nga një grup intelektualësh, shkrimtarësh e gazetarësh të Kosovës. Grupi nismëtar gjatë muajve tetor–nëntor 1989 u zgjerua edhe me persona të tjerë, si mjekë, profesorë, juristë etj. Në dhjetor të vitit 1989 u hartua programi dhe statuti i partisë, ndërkaq në kuvendin themelues të 23 dhjetorit 1989 u aprovuan dokumentet partiake dhe u zgjodh kryesia e Lidhja Demokratike të Kosovës me këtë përbërje: Ibrahim Rugova (kryetar), Jusuf Buxhovi (sekretar), dhe anëtarë të kryesisë: Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi dhe Mehmet Kraja. Më 25 dhjetor 1989 kërkesa për regjistrimin e LDK-së si parti politike u dërgua në Ministrinë Federative të Drejtësisë të ish-Jugosllavisë, e cila e regjistroi LDK-në si partinë e parë postkomuniste në Kosovë. Që nga themelimi e deri në janar 2006, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte Ibrahim Rugova. Pas vdekjes së tij, kryetar u zgjodh dr. Fatmir Sejdiu (2007–2011). Ndërkaq, nga viti 2011 e deri më 2021, kryetar i LDK-së ishte Isa Mustafa dhe nga viti 2021 deri më sot kryetari është Lumir Abdixhiku. Që nga themelimi e deri në çlirimin e Kosovës (1989–1999), Lidhja Demokratike e Kosovës ishte më shumë lëvizje popullore sesa parti politike, duke udhëhequr politikisht rezistencën kundër pushtimit serb dhe duke institucionalizuar sistemin e rezistencës shqiptare në Kosovë me institucionet e krijuara në të gjitha fushat. Pas luftës së vitit 1999, LDK-ja u profilizua si parti politike e qendrës së djathtë, e afërt me ideologjinë e partive të djathta evropiane (partitë popullore evropiane). (Në fotografi: Moment nga kuvendi themelues i partisë, 23 dhjetor 1989.)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 971–972.
Fotografia: © https://www.radiandradi.com/historia-e-lidhjes-demokratike-te-kosoves-27-vjet-te-lidhjes-demokratike-te-kosoves/
Përpunim grafik: AHCF




