Në Tiranë u themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë, institucion i lartë shkencor. U themelua nga bashkimi i shkencëtarëve nga më të shquarit e vendit, që u bënë anëtarë të saj, dhe i instituteve e sektorëve shkencorë që bënin pjesë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Më pas u zgjerua me institute dhe sektorë të rinj shkencorë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë u krijua si institucion i financuar me emërtim të veçantë nga buxheti i shtetit, në bazë të programeve për studimin e problemeve kryesore shkencore të paraqitura prej saj. Akademia e Shkencave e Shqipërisë me institucionet shkencore që përfshinte, ka kryer studime e kërkime për probleme të rëndësishme në fushat e shkencave albanologjike, shoqërore, natyrore dhe teknike; ka bashkëpunuar me institucionet dhe qendrat e tjera shkencore dhe me universitetet, si edhe me shkollat e tjera të larta, duke synuar për një integrim sa më efektiv të punës kërkimore me procesin mësimor. Deri në janar të vitit 2007, Akademia e Shkencave e Shqipërisë përbëhej nga dy seksione: 1) Seksioni i shkencave shoqërore e albanologjike, ku bënin pjesë: Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Arkeologjisë, Qendra e Studimit të Arteve, Qendra e Enciklopedisë Shqiptare, Instituti i Ekonomisë dhe 2) Seksioni i shkencave natyrore e teknike, ku bënin pjesë: Instituti i Fizikës Bërthamore, Instituti i Informatikës dhe i Matematikës së Aplikuar, Instituti i Kërkimeve Biologjike, Instituti i Hidrometeorologjisë, Instituti i Sizmologjisë, Qendra e Studimeve Gjeografike, Qendra e Kërkimeve Hidraulike. Në bazë të dispozitave të mëparshme ligjore, numri maksimal i mundshëm i anëtarëve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (akademikëve) ishte 45 veta. Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare e Panelit Ndërakademik–IAP (Federata Botërore e Akademive), e Federatës Mbarevropiane të Akademive (ALLEA), e Bashkimit Ndërkombëtar të Akademive (UIA), e Qendrës Ndërkombëtare për Studimet e Detit të Zi, e Këshillit Ndërakademik të Evropës Juglindore. Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka marrëveshje bashkëpunimi me Akademitë e Shkencave në një varg vendesh të botës, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Sllovenia, Austria, Italia, Turqia, Polonia, Rusia, Egjipti, Izraeli, Kina si edhe me Qendrën Kombëtare të Kërkimeve (CNR) në Itali. (Në fotografi: Godina e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 33–35.
Fotografia: © https://urbanstories.citizens-channel.com/listing-item/akademia-e-shkencave/
Përpunim grafik: AHCF




