Në Tiranë u nda nga jeta Sterjo Spasse, shkrimtar. Lindi në fshatin Gollomboç të Prespës (Korçë), në vitin 1914. Lindi në një familje me kombësi maqedonase. Kreu Shkollën Normale të Elbasanit (1932). Punoi si mësues në Gjirokastër, Voskopojë, Korçë e Tiranë; pas Çlirimit, si inspektor në Ministrinë e Arsimit, më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve, bashkëthemelues i së cilës ishte. Në vitet 1958–1960 studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë. Nga fillimi i viteve ’60 të shekullit XX, shkrimtar në krijimtari të lirë. Pas skicave e tregimeve të para të botuara në gazetat e kohës (“Shqipëria e re”, “Rilindja” etj.), në vitin 1934 dolën nga shtypi dy përmbledhje të tij me tregime të prirjes kryesisht sentimentale (“Kurorë rinie”, “Në krahët e një femre”); një vit më vonë, romani “Pse?!”, që u prit me entuziazëm nga publiku e kritika dhe më 1944, romani “Afërdita”. Në krijimtarinë e pasçlirimit të Sterjo Spasses gjeti reflekse të forta modeli letrar i realizmit socialist. Romani “Ata nuk ishin vetëm” (1952) u çmua për një kohë të gjatë si vepra kryesore e autorit. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit të jetës Sterjo Spasse konceptoi ciklin e romaneve “Rilindësit” me temë Rilindjen Kombëtare Shqiptare: “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje, ja liri” (1978), “Kryengritësit” (1983), “O sot, o kurrë!” (1987). Si romane historike të tipit klasik, këto vepra i shënjon vënia e ndodhive historike në qendër të rrëfimit, në dritën e të cilave zbulohen karakteret, zhvillimi i subjektit në disa rrafshe, moria e skenave, si dhe imtësitë e shumta etnografike. Bashkëthemelues i revistës “Normalisti” (1929–1937), Sterjo Spasse botoi edhe në organe të tjera shkrime të shumta për probleme të pedagogjisë e të arsimit, një pjesë e të cilave u përmblodhën në vëllimin “Reflekse pedagogjike” (1987). Me kontributet e tij në organet “Revista letrare”, “Literatura jonë” e “Nëntori”, në vitet ‘40–’50 të shekullit XX, Sterjo Spasse luajti një rol të dallueshëm në gjallërimin e jetës letrare shqiptare. Dha ndihmesë në hartimin e teksteve të letërsisë së huaj dhe letërsisë shqiptare për shkollat tetëvjeçare e të mesme. (Në fotografi: Sterjo Spasse)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2377–2378.
Fotografia: © http://arberianews.net/2022/04/03/sterjo-spasse-permes-leterkembimeve/
Përpunim grafik: AHCF




