Në spitalin ushtarak në zonën e Malishevës u nda nga jeta Skënder Çeku, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hero i Kosovës. Lindi në fshatin Qyshk të Pejës, në vitin 1955. Pas gjimnazit në Pejë, kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë shërbimit ushtarak ndoqi shkollën ushtarake për oficerë rezervë në Zarë të Kroacisë dhe mori gradën e nëntogerit, më vonë të kapitenit. Për shkak të veprimtarisë politike ilegale, në vitin 1985 u burgos dhe u dënua me disa vjet burg. Pas daljes nga burgu, në revoltën e 31 janarit 1991 u plagos nga policia e Serbisë. Më pas emigroi në Zvicër, ku vazhdoi veprimtarinë për çlirimin e Kosovës. Në verën e vitit 1998 u kthye nga Zvicra në Shqipëri dhe që andej kaloi në Kosovë me bashkëluftëtarët e tij, duke u pozicionuar në fshatrat Raushiq, Loxhë e rrethinë. Përballja e tij e parë me forcat serbe ishte beteja e Loxhës (6 korrik 1998). Më pas u përball në betejat e vazhdueshme kundër forcave serbe, të cilat ndërmerrnin sulme të përditshme në këtë vijë të frontit. Veçohet beteja e 15 gushtit të vitit 1998, kur forcat serbe sulmuan në Loxhë me artileri të rëndë pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bombarduar edhe nga ajri, me avionë luftarakë. Në luftë e sipër, në lagjen e Morinëve, Skënder Çeku u plagos rëndë. U tërhoq nga fushëbeteja dhe u dërgua në spitalin ushtarak në zonën e Malishevës, ku u nda nga jeta dy ditë më vonë. Më 2012, nga Presidentja e Kosovës u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”. (Në fotografi: Skënder Çeku)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 272.
Fotografia: © https://trimat.al/hero/skender-ceku
Përpunim grafik: AHCF




