Në Tiranë u nda nga jeta Sevasti Dako Qiriazi, veprimtare e Lëvizjes Kombëtare dhe për emancipimin e gruas shqiptare, Mësuese e Popullit. Lindi në familjen e njohur të Qiriazëve në Manastir, në vitin 1871. Në vendin e lindjes kreu në gjuhën angleze studimet e mesme në shkollën e Shoqërisë Biblike të qytetit. Pasi mbaroi studimet në Kolegjin Femëror Amerikan (Womens College) të Stambollit (1888–1891), u kthye në Korçë, ku me ndihmën e të vëllait, Gjerasimit, më 1891 hapi të parën shkollë kombëtare për vajza: “Shkolla Shqipe e Vashave”. Mori pjesë në Kongresin Arsimor të Elbasanit (1909). Përgatiti e botoi një varg tekstesh. mbi gramatikën e shqipes, historinë botërore e historinë e Shqipërisë etj. Sevasti Qiriazi bashkëpunoi me albanologen Edith Durham për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar në arenën ndërkombëtare (1913). Bashkëpunoi me të motrën, Parashqevinë, për botimin e revistës “Ylli i Mëngjezit”. Pas kthimit në atdhe (1921), së bashku me bashkëshortin, Kristo Dako dhe të motrën, Parashqevi Qiriazi, iu përkushtua institutit arsimor “Kyrias”, të çelur prej tyre në Tiranë e në Kamzë. Është dekoruar me “Urdhrin e Skënderbeut”, me “Urdhrin për Veprimtari Patriotike” dhe me “Urdhrin e Lirisë”. (Në fotografi: Sevasti Dako Qiriazi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2182–2183.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Sevasti_Qiriazi-Dako
Përpunim grafik: AHF




