Në Tiranë u nda nga jeta Selim Islami, arkeolog, një ndër themeluesit e arkeologjisë shqiptare, profesor. Lindi në Pandelejmon të Sarandës, në vitin 1923. Kreu shkollën “Normale” të Elbasanit dhe studimet e larta në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1946–1951). Filloi punë në Institutin e Shkencave, më pas në Institutin e Historisë, në Institutin e Arkeologjisë, ku punoi deri në fund të jetës. Në vitet 1956–1966 qe përgjegjës i sektorit të arkeologjisë në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Drejtoi punimet në tumat e Matit (1952–1956) e më pas në qendra të tjera, si: Gajtan, Pazhok, Xibër, Zgërdhesh, Butrint etj. Në vitet 1958–1960 drejtoi kërkimet e ekspeditës arkeologjike shqiptaro-sovjetike në Apoloni. Është autor i një varg artikujsh shkencorë; bashkautor i veprave “Historia e Shqipërisë” vëll. I (1959) dhe “Historia e popullit shqiptar” vëll. I (2002); redaktor përgjegjës i përmbledhësit “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” dhe i librit “Les Illyriens” (Tiranë, 1985). Në vitet 1981–1985 qe kryeredaktor i revistës “Iliria”. Krahas kërkimeve e studimeve për qytetin ilir, objekt themelor i studimeve të tij ishte historia politike e shtetit ilir. Si pedagog i jashtëm ka dhënë lëndën e arkeologjisë dhe të historisë së lashtë në Universitetin e Tiranës. Me veprimtarinë shkencore e drejtuese dha ndihmesë të veçantë për ndriçimin e problemeve themelore të arkeologjisë e historisë antike të vendit tonë. (Në fotografi: Selim Islami)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1049.
Fotografia: © https://2lonline.com/prof-dr-selim-islami-arkeolog-nje-figure-emblematike-edhe-per-gjilanin/
Përpunim grafik: AHCF




