Në Tiranë u krijua “Rinia Komuniste Shqiptare”, organizatë e rinisë me ideale komuniste, ndihmëse luftarake e Partisë Komuniste Shqiptare. Sekretar politik i Rinisë Komuniste Shqiptare u zgjodh Qemal Stafa, anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare. Pas mbledhjes themeluese në qytetet kryesore të vendit, u ngritën komitetet qarkore të Rinisë Komuniste. Organi i Rinisë Komuniste Shqiptare ishte revista “Kushtrimi i lirisë”. Me nismën e Rinisë Komuniste Shqiptare u krijua Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare (BRASH), i cili kishte detyrë bashkimin, organizimin dhe hedhjen e brezit të ri në luftë për një Shqipëri të lirë, të pavarur e demokratike. Në Konferencën II Nacionalçlirimtare u njoh si organizatë e rinisë antifashiste shqiptare, që do të bënte pjesë në Frontin Antifashiste Nacionalçlirimtar. Në gusht 1944 u mbajt Kongresi I i Rinisë Antifashiste Shqiptare. Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare drejtohej në tërë veprimtarinë e vet nga organizata e Rinisë Komuniste Shqiptare. Me mijëra të rinj antifashistë luftuan në radhët e njësiteve guerile, të çetave, të batalioneve e brigadave partizane. Rreth 80% e efektivit të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare ishin të rinj e të reja; shumë prej tyre dhanë jetën për çlirimin e atdheut. (Në fotografi: Shtëpia ku u krijua RKSH)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 192.
Fotografia: © https://www.facebook.com/Shqiperia.Socialiste/photos/a.132638640272189/1865622690307100/?type=3
Përpunim grafik: AHCF




