Në Erind të Gjirokastrës u nda nga jeta Petro Poga, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, ministër, deputet. Lindi në Erind të Lunxhërisë (Gjirokastër), në vitin 1850. Kreu gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Stambollit. Punoi në Stamboll, ku u bë edhe një nga themeluesit e gazetës “Drita” (1883). Në vitin 1906 u kthye në Gjirokastër dhe ndihmoi për çeljen dhe drejtimin e klubit politiko-shoqëror “Drita” (1908). Përfaqësoi Gjirokastrën në Kuvendin e Vlorës që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë (28 nëntor 1912) dhe u emërua ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, si dhe kryetar i Gjykatës së Lartë (1913–1914). Përfaqësoi Gjirokastrën në Kongresin e Durrësit (1918) dhe mori pjesë në Qeverinë e Durrësit si ministër i Drejtësisë (1918–1920). Deputet i Gjirokastrës në Këshillin Kombëtar (1923–1925) dhe kryetar i atij kuvendi (17 prill – 2 qershor 1924); deputet në të gjitha legjislaturat e Asamblesë Kushtetuese të Republikës dhe të Mbretërisë Shqiptare (1925–1939). Ministër i Drejtësisë nga 1 shkurt – 23 shtator 1925 dhe nga 12 shkurt – 20 tetor 1927. Dha ndihmesë të posaçme në hartimin e legjislacionit shqiptar dhe të Kushtetutës së Mbretërisë Shqiptare (1928). Me pushtimin fashist të Shqipërisë u tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në fshatin e lindjes, ku kishte një bibliotekë të pasur me rreth 24 mijë libra. (Në fotografi: Petro Poga)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2052.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Petro_Poga
Përpunim grafik: AHCF




