Në Vlorë doli numri i parë i gazetës “Përlindja e Shqipëniës” (1913–1914), një ndër gazetat e para të shtetit të pavarur shqiptar. U botua dy herë në javë; vijoi deri në numrin 21 (1914). Nga numri 5 (14–27 gusht 1913) e drejtoi Dhimitër Berati. Botonte lajme politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. Mbështeti politikën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës; mbrojti të drejtat e popullit shqiptar kundër synimeve të monarkive fqinje; bëri thirrje për bashkimin e popullit dhe botoi shkrime për organizimin e shtetit të ri, për zhvillimin e arsimit etj. (Në fotografi: Numri 2 i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2003.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Perlindja_e_Shqip%C3%ABni%C3%ABs
Përpunim grafik: AHCF




