Në Svircë të Kamenicës (Kosovë) lindi Nuhi Berisha, veprimtar i lëvizjes ilegale. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Gjilan. Si nxënës gjimnazi u përfshi në veprimtari ilegale. Ndërkohë vijoi studimet në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin e Edukatës Fizike në Prishtinë. Mori pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981 dhe mbajti shënime për demonstratat e Prishtinës nga 26 marsi deri më 2 prill. Veprimtarinë ilegale e zhvilloi në kuadër të organizatës Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi. Në shkurt të vitit 1982 emigroi në Zvicër, ku qëndroi deri në tetor të po atij viti. U kthye në Kosovë, për të zhvilluar aktivitet në ilegalitet të plotë, së bashku me Rexhep Malen. Nuhi Berisha u mor edhe me shkrime. Në emigracion iu botuan veprat “Pranvera e luleve të kuqe”, në të cilën pasqyron ngjarjet e vitit 1981 dhe “Mbi organizimin”, ku jep ide dhe sugjerime rreth organizimit të veprimtarisë ilegale. Shkroi edhe poezi. Pasi organet e sigurimit dhe të ndjekjes i kishin rënë në gjurmë, në vitin 1984 u rrethua nga forca të mëdha policore në lagjen “Vranjevc” (sot, Kodra e Trimave) në Prishtinë, ku u vra duke luftuar. (Në fotografi: Nuhi Berisha)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 166.
Fotografia: © https://gazeta10.com/cfare-eseje-shkroi-nuhi-berisha-tre-vjet-para-renies-se-tij-deshmor-bashke-me-rexhep-malen/
Përpunim grafik: AHCF




