Në Berkshir (Angli) lindi Noel Malkolm (Malcolm), historian anglez me kontribut të veçantë në ndriçimin e historisë së Kosovës. Studioi në kolegjin “Eton” dhe në Universitetin e Kembrixhit për letërsi angleze, ku mori dhe gradën doktor (PhD) në histori (1983). Gjatë viteve 1981–1988 ishte pedagog i jashtëm (fellow) në kolegjin “Gonville and Caius” për histori, letërsi angleze dhe filozofi. Më pas punoi si gazetar e redaktor në shtyp. Më 1995 iu kthye veprimtarisë kërkimore shkencore. Më 1999 u zgjodh kryetar i Shoqatës Anglo-Shqiptare; më 2001 u zgjodh në Akademinë Britanike dhe më 2002 u emërua Profesor (Senior Research Fellow) në kolegjin “All Souls” në Universitetin e Oksfordit. Noel Malkolm ka botuar një varg studimesh për historinë e shqiptarëve. Monografia “Kosovo – A short History”, Londër, 1998 (“Kosova – një histori e shkurtër”), u ribotua më 1999 e u përkthye në disa gjuhë (shqip, serbokroatisht, turqisht, bullgarisht). Studime të tjera të tij janë: “Notes on the Early History of a Catholic Albanian Clan” (“Shënime për historinë e hershme të një klani katolik shqiptar”), “Crypto-Christianity and Religious Amphibianism in the Otoman Balkans. The Case of Kosovo” (“Kriptokrishterimi dhe dualizmi fetar në Ballkanin Osman. Rasti i Kosovës”), “Myths of Albanian National Identity. Some Key Elements, as Expressed in the Works of Albanian Writers in America in the Early Twentieth Century” (“Mitet e identitetit kombëtar shqiptar. Disa elemente themelore të shprehura në punimet e shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë në fillim të shekullit XX”), “Albanian Identities. Myth and History” (“Identitetet shqiptare. Miti dhe historia”). Noel Malkolm është dekoruar në Kosovë me medaljen e artë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. (Në fotografi: Noel Malkolm)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2 Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1614–1615.
Fotografia: © https://www.washingtonindependentreviewofbooks.com/index.php/features/an-interview-with-sir-noel-malcolm
Përpunim grafik: AHCF




