Në Pezë të Tiranës lindi Myslym Peza (1897–1984), veprimtar demokrat, komandant i Çetës Antifashiste të Pezës, një nga figurat kryesore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të shtetit shqiptar, Hero i Popullit. Mori pjesë në lëvizjen demokratike të viteve 1920–1924. Kundërshtar i hapur i monarkisë. Pas 4 vitesh qëndrese me armë, më 1930 u detyrua të largohej jashtë vendit (në Jugosllavi), ku vazhdoi veprimtarinë në bashkëpunim dhe me patriotë të tjerë antizogistë. U kthye në atdhe menjëherë pas pushtimit fashist (1939) dhe organizoi Çetën Antifashiste të Pezës (1940). Mbështeti platformën politike të Frontit Nacionalçlirimtar; dha ndihmesën e tij për bashkimin e popullit rreth Frontit dhe për organizimin e luftës së armatosur kundër pushtuesve fashistë, duke e kthyer zonën e Pezës në një bazë luftarake të rëndësishme të lëvizjes nacionalçlirimtare fare pranë kryeqytetit. Nën drejtimin e tij, çetat, batalionet dhe grupi partizan i Pezës kryen shumë aksione e luftime në këtë zonë. Myslym Peza ishte pjesëmarrës në Konferencën e Parë Antifashiste Nacionalçlirimtare të Pezës, që u mbajt në shtëpinë e tij. Konferenca e zgjodhi anëtar të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (1942); në Konferencën II të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (1943), në Labinot, u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe nënkryetar i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar, kurse në mbledhjen e dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, në Berat (1944), u emërua nënkryetar i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë. Anëtar i Partisë së Punës të Shqipërisë nga viti 1952. Deputet në Kuvendin Popullor dhe nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat (1946–1984). (Në fotografi: Myslym Peza)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1999.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Myslym_Peza
Përpunim grafik: AHCF




