Në fshatin Kallarat të Vlorës lindi Mumin Selami, veprimtar i Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Kallarat të Vlorës, në vitin 1923. Gjatë kohës që ndiqte gjimnazin e Tiranës, përqafoi idetë komuniste. Pas pushtimit fashist të vendit u hodh në veprimtari antifashiste dhe për këtë shkak u përjashtua nga shkolla, u burgos dhe u internua për më se një vit në fshatin e tij, ku vijoi veprimtarinë antifashiste. Me themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare përqafoi vijën e saj dhe vazhdoi luftën kundër fashizmit e bashkëpunëtorëve të tyre, duke marrë pjesë në atentate të guximshme. U arrestua e u burgos dy herë, në Tiranë e Vlorë, iu nënshtrua torturave, por për mungesë provash u lirua. Natën e 18 tetorit u gjend i rrethuar nga forca fashiste në bazën ilegale, në lagjen “Tophana” të Vlorës. Mumin Selami vendosi të çante rrethimin dhe përmes zjarrit të dendur të armikut u sul kundër fashistëve me revolverë e bomba dore, ku mbeti i vrarë. Akti i tij pati jehonë, jo vetëm në Vlorë, por në gjithë Shqipërinë. (Në fotografi: Mumin Selami)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2309–2310.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




