Mithat Frashëri

Lexo ngjarje:

Në Nju-Jork (SHBA) u nda nga jeta Mithat Frashëri, veprimtar politik, shkrimtar, publicist, përkthyes (i njohur edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka). Lindi në Janinë, në vitin 1880. U vendos me familjen në Stamboll, ku, pas vdekjes së të atit më 1892, për arsimimin e tij u kujdesën Naim e Sami Frashëri, të cilët u bënë edhe mësuesit e tij. Nën ndikimin e tyre dhe si një autodidakt, fitoi kulturë të gjerë dhe zotëroi disa gjuhë të huaja, çka i dha mundësi të shërbejë në administratën osmane. Qysh në moshë të re iu përkushtua çështjes kombëtare. Në korrik 1908, themeloi gazetën “Liria” në Selanik. Nga vitet 1897–1928 botoi me disa ndërprerje revistën “Kalendari Kombiar”, kurse në vitin 1909 themeloi revistën “Diturija”, që doli në fillim në Selanik, pastaj në Konstancë (1916) dhe në Tiranë (1926–1929). Të dy këto revista luajtën rol në lëvizjen kombëtare e kulturore. Në to u botuan dokumente dhe shkrime për çështje të historisë, të gjuhës, folklorit dhe të traditave të popullit shqiptar. Mithat Frashëri mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh kryetar dhe u caktua në Komisionin e Alfabetit. Më 1909, klubi i Selanikut, i drejtuar prej tij, lëshoi thirrjen për mbajtjen e Kongresit të Elbasanit (1909), ku Mithat Frashëri mori pjesë si delegat i Shkupit, i Selanikut dhe i Çamërisë. Në vitet 1910–1912 qëndroi në Bukuresht e në Sofje dhe u përfshi në veprimtaritë e kolonive atdhetare të atjeshme. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912, dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua ministër i Punëve Botore. Përkrahu qeverinë e Princ Vidit (1914), ku u ngarkua me detyrën e ministrit të Postave dhe të Punëve Botore. U largua pas shpërthimit të kryengritjes së Shqipërisë së Mesme dhe qëndroi në Itali, Zvicër e Bullgari, ku bashkëpunoi me shtypin. Në vitet 1923–1925 ishte Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku protestoi për shpërnguljen me dhunë të popullsisë çame për në Turqi. Në vitet 1926–1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”. Në vitet e pushtimit fashist themeloi dhe drejtoi organizatën e Ballit Kombëtar, që bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë. Në përfundim të luftës, u largua nga Shqipëria; në fillim u vendos në Itali e më pas në Londër, ku krijoi komitetin “Shqipëria e Lirë” (1949). Është dekoruar me urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. (Në fotografi: Mithat Frashëri)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 725–726.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Mid%27hat_Frash%C3%ABri

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img