U zhvilluan “Luftimet e Llapashticës”, veprimet më të mëdha luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit gjatë vitit 1998. Vija e frontit të luftës shtrihej në tri drejtime: Llapashticë-Tabet, Llapashticë-Obrançë e Llapashticë-Gllavnik. Armiku synonte marrjen e pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tabet, nga mund të kontrolloheshin edhe të dy drejtimet e tjera të vijës së frontit dhe mund të rrezikohej komanda e Zonës Operative të Llapit. Pas një qëndrese të fuqishme në Tabet e Llapashticë, derisa u bë e mundur edhe zhvendosja e popullatës civile, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vunë në përdorim planin e përgatitur më parë, duke e sulmuar armikun nga dy krahët e duke i shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë lufte. Armiku bëri disa herë përpjekje të depërtonte në këto pozicione, por u tërhoq me humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë, derisa u detyrua të kërkonte ndihmën e OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) për të nxjerrë forcat nga rrethimi. Forcat e Zonës Operative të Llapashticës mbajtën pozicionet e veta kontrolluese në aksin rrugor Prishtinë-Merdare dhe Podujevë-Kërpimeh. Pasi u bë përforcimi i radhëve, u arrit të mbahej nën kontroll edhe objekti mbizotërues Tabet e Llapashticë. (Në fotografi: Pamje e fshatit Llapashticë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1561–1562.
Fotografia: © https://www.llapi.info/podujeve-vdes-ish-ushtari-i-ushtrise-clirimtare-te-kosoves-nga-fshati-llapashtice/
Përpunim grafik: AHCF




