U nda nga jeta Kolec Topalli, gjuhëtar, profesor, Mësues i Popullit. Lindi në Shkodër, në vitin 1938. Në vendlindje kreu shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe i përfundoi në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Universitetin e Tiranës (1964). Ka punuar si mësues në rrethet Kukës, Lezhë, Gramsh e Krujë. Sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Republikës (1992–1997), punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1997–2006), këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Romë (2006–2007). Gjatë viteve të shërbimit në arsim u mor me studime gjuhësore dhe përgatiti dy disertacione (1986, 1991). Ka trajtuar kryesisht probleme të fonetikës historike të shqipes. Është autor i monografive: “Theksi në gjuhën shqipe” (1995), “Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe” (1996), “Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes” (1998), “Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe” (2000), “Sonantet e gjuhës shqipe” (2001), “Mbylltoret e gjuhës shqipe” (2002), “Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe” (2003), “Dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të gjuhës shqipe” (2004), “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2005), “Ricerche sulla storia dell’accento in albanese” (“Kërkime mbi historinë e theksit në shqip”), (Kozencë, 2007), “Evolucioni historik i përemrave të shqipes” (2008), në të cilat ka bërë një shqyrtim të hollësishëm të punës së kryer më parë dhe ka sjellë ndihmesa vetjake për ndriçimin e shumë problemeve. Ka botuar gjithashtu një varg artikujsh në revista shkencore edhe jashtë vendit. (Në fotografi: Kolec Topalli)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2724–2725.
Fotografia: © Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Përpunim grafik: AHCF




