Pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta Kolë Kaftalli, aktor i teatrit “Migjeni”, Shkodër dhe i kinematografisë shqiptare, regjisor i mirënjohur i skenës shqiptare. Lindi në Shkodër, në vitin 1946. Rrjedh nga një familje e shquar artistësh. Një nga emrat e njohur të artit skenik, sidomos në qytetin e Shkodrës. U diplomua në Institutin Arteve të Bukura në Tiranë. Pas diplomimit fillon punën në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Me trupën e këtij teatri interpreton rreth 60 drama e komedi, përfshirë edhe disa në Teatrin Kombëtar. Ka interpretuar në role të ndryshme edhe në 7 filma artistikë të Kinostudios. Në vitin 1978 bën debutimin në film me një rol të vogël në “Nusja dhe shtetrrethimi”. Ndër filmat e tjerë mund të përmenden: “Ditët që sollën pranverën” (1979), “Qortimet e vjeshtës” (1982), “Flaka e maleve” (1982), “Njeriu i mirë” (1982), “Të paftuarit” (1985), “Kur hapen dyert e jetës” (1986), “Një i tretë” (1988) etj. Pjesë e karrierës artistike të Kolë Kaftallit ka qenë edhe regjisura, ku numërohen disa drama të vëna në skenë prej tij në qytetin e Shkodrës. Në periudhën e fundit të jetës ai iu kushtua teatrit të fëmijëve, duke qenë edhe i pari në qytetin e Shkodrës dhe në veri të Shqipërisë që ngriti teatrin e kukullave. U nda nga jeta në moshën 68-vjeçare. (Në fotografi: Kolë Kaftalli)
Teksti: https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/kole-kaftalli-1946-2009-in-memoriam/
Fotografia: © https://www.facebook.com/aktoretshqiptar/photos/si-quhet-aktori-ne-foto-dhe-ne-cilet-filma-ka-interpretuar/2385322331583974/
Përpunim grafik: AHCF




