Në Vjenë u nda nga jeta Johan Georg fon Han (Johan von Georg Hahn), gjuhëtar gjerman, albanolog, jurist dhe diplomat. Lindi në Frankfurt mbi Majn të Gjermanisë, në vitin 1811. Studioi për drejtësi në Gisen dhe në Hajdelberg. Në vitet 1834–1843 punoi për Ministrinë e Drejtësisë së Mbretërisë së re Greke e më pas në vitet 1843–1847 ishte konsull prusian në Athinë dhe më pas zëvendëskonsull austriak në Janinë, ku ra në kontakt me shqiptarët dhe filloi të mësonte shqip. Më 1851 u emërua konsull austriak në ishullin e Syrës. Sa qëndroi në Janinë, Hani bëri tri udhëtime në Shqipëri dhe mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë dhe folklorin shqiptar. Ky material u botua në veprën e tij “Studime shqiptare” (Albanesische Studien) në tri vëllime, në Jenë, më 1854. Në gusht–nëntor 1863 udhëtoi nga Durrësi dhe Shkodra nëpër lumin Drin për në Prizren, në Maqedoninë Perëndimore dhe që andej, duke kaluar luginën e Vardarit, në Selanik. Interesat e Hanit në Shqipëri dhe në Ballkanin Jugperëndimor ishin të shumëllojshme. Ekspedita e vitit 1863 rezultoi në një koleksion prej pesëdhjetë fotografish. Fushat kryesore të studimit shkencor të Hanit janë: historia, filologjia dhe folklori, në veçanti ato shqiptare, për të cilat ka ndërmarrë ekspedita hulumtuese shkencore në Shqipëri për t’i studiuar më hollësisht këto fusha dhe për t’ia paraqitur opinionit shkencor botëror. Në veprën e tij jepen vështrime gjeografike-etnografike për shqiptarët dhe vendin e tyre, jepen shënime nga udhëtimet e tij në Shqipëri (1848); skicohet një tablo etnografike e krahinave shqiptare, paraqitet historia e popullit shqiptar, jepen shpjegime për mitologjinë e shqiptarëve, flitet për alfabetin e shqipes. (Në fotografi: Johan Georg fon Han)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 592–593.
Fotografia: © http://www.albanianhistory.net/1854_Hahn/index.html
Përpunim grafik: AHCF




