Në Egjipt u nda nga jeta Jani Vruho, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, publicist. Mësimet e para i mori në vendlindje. Lindi në Vërtop të Beratit, në vitin 1863. Mërgoi familjarisht në Egjipt (1881), ku bashkëpunoi me rrethet patriotike shqiptare. Në fushën e gazetarisë e të publicistikës hyri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX. Emri i tij është i lidhur me botimin e fletores satirike “Shkopi”, e cila kishte për devizë: “Mpron të drejtat e kombit shqiptar” (Kajro, 1907–1908). Në vitet 1909–1910 botoi gazetën “Rrufeja”, me moton: “Qyr me kujdes dëmet prej të huajvet”, e pasuar nga gazeta “Sepata” (1910). Në këto gazeta rrihej problemi i bashkimit kombëtar dhe i luftës me armë për pavarësi. Nga pozita të përparuara demokratike e antifeudale shkroi edhe në gazetat “Drita” të Shahin Kolonjës, “Liri e Shqipërisë” të Kristo Luarasit, “Shqypeja e Shqypnis” të Josif Bagerit etj. Mbrojti të drejtat e kombit shqiptar për liri, pavarësi e tërësinë tokësore të tij; përkrahu Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës (1920). Në emër të shoqërisë shqiptare të Egjiptit, më 1927 iu drejtua Lidhjes së Kombeve me një protestë kundër pakteve robëruese italo-shqiptare të viteve 1926, 1927; vepër, për të cilën regjimi i kohës e dënoi me vdekje në mungesë. U nda nga jeta në Egjipt, në vitin 1931. (Në fotografi: Jani Vruho)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2924.
Fotografia: © https://www.shtepiaelibrit.com/store/sq/biografi-kujtime/
Përpunim grafik: AHCF




