Në fshatin Orizare të Kumanovës lindi Ismet Jashari, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandant “Kumanova”, Hero i Kosovës. Shkollën e mesme e nisi në Kumanovë dhe e përfundoi në gjimnazin e Preshevës. Atëkohë u inkuadrua në radhët ilegale të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Në gusht të vitit 1988 emigroi në Zvicër, ku e vazhdoi veprimtarinë atdhetare. Në mars të vitit 1998 iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht u vendos në Shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të Drenicës, më pas u caktua me detyrë ushtarake në Zonën e Llapushës. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë i njohur si “Kumanova”. Në maj të vitit 1998 mori pjesë në betejat rreth grykës së Llapushnikut, ndërsa më 17 qershor, me bashkëluftëtarët e tij ndërmori një sulm kundër forcave serbe, të cilat po tentonin të depërtonin në drejtim të Luzhnicës. Luftoi në mbrojtjen e pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë ofensivës serbe të 25 dhe 26 korrikut 1998, në grykë të Llapushnikut dhe në fshatin Zborc, afër grykës së Carralevës. Më 23 gusht 1998, kur ushtria serbe ndërmori sulmin në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizoi rezistencën në Bajrak të Luzhnicës. Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit ndërmori një kundërsulm në përpjekje për të tërhequr trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në Luzhnicë, Ismet Jashari ra dëshmor. Në nderim të tij, Brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mori emrin “Ismet Jashari – Kumanova”. Në Prizren, afër shtëpisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është ngritur shtatorja e tij. Më 2009-n, Presidenti i Republikës së Kosovës e dekoroi me urdhrin “Hero i Kosovës”. (Në fotografi: Ismet Jashari)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 713-714.
Fotografia: © https://www.facebook.com/jepize02/photos/a.1425557794329503/3252840908267840/?type=3
Përpunim grafik: AHCF




