Në Barbullush të Shkodrës u vra Ismail Nikoçi, luftëtar për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe pjesëmarrës në lëvizjen për çlirim e bashkim kombëtar në viset shqiptare veriore të pushtuara nga Mali i Zi dhe Serbia. Lindi në Guci, në vitin 1876. I ati ishte bashkëpunëtor i afërt i Ali pashë Gucisë. U shkollua në Pejë e Selanik, ku edhe u diplomua. Për qëndrimin e tij antiosman, më 1906 dhe 1909 u arrestua dhe u internua dy herë. Më 1912 luftoi për mbrojtjen e krahinës së tij nga malazezët. Më pas, gjatë viteve 1912–1913 dhe 1914, veproi përkrah Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë në Vlorë e Durrës. U arrestua nga malazezët në Shkodër dhe u burgos. Në vitet 1916–1917 drejtoi bashkinë e Gucisë, duke bërë një punë të vyer për futjen e shqiptarëve në administratën lokale dhe çeljen e shkollave shqipe. Vitet 1917–1918 i kaloi në internim në Austri. Pati rol qendror në qëndresën e popullsisë së Gucisë kundër ripushtimit serbo-malazez në periudhën nëntor 1918–shkurt 1919, përkrah Hasan Ferrit. Ismail Nikoçi ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të degës së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” për krahinën e Plavë-Gucisë. (Në fotografi: Ismail Nikoçi)
Teksti: Marenglen Verli, 101 profile nga Kosova për Kosovën, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Adel-co”, Tiranë, 2017, faqe 591.
Fotografia: © Verli M., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




