Në Kaftallë të Mirditës lindi Imzot Zef Oroshi (Çoku), klerik i lartë katolik, Ipeshkëv, themelues i së parës kishë katolike shqiptare në SHBA, Zojës së Këshillit të Mirë (Bronks, Nju-Jork), botues, përkthyes. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e filloi në vitin 1927 në Kolegjin Saverian në Shkodër dhe, pas një viti, e vazhdoi në Seminarin e Vogël në Thiene (Itali). Më 22 tetor 1936 filloi studimet për teologji në Kolegjin Ndërkombëtar. U diplomua më 1940, në Kongregacionin e përhapjes së fesë dhe u shugurua nga Kardinali Pietro Fumasoni-Biondi. Po këtë vit i ndërpreu studimet doktorale dhe u kthye në Shqipëri, ku Ipeshkvi i Mirditës, Imzot Frano Gjini, e caktoi sekretar të tij. Në të njëjtë kohë, shërbeu si famullitar administrator i Kishës së Shën Kollit në Spaç dhe, nga viti 1942, si famullitar i Kishës së Maria Magdalenës në Ungrej të Lezhës. Në vitin 1951, Forcat e Ndjekjes së Sigurimit tentuan ta arrestonin teksa jepte meshë, por arriti t’iu ikte. I mbështetur nga besnikët e tij të famullisë së Ungrejt, në mesin e vitit 1951 kaloi kufirin me Jugosllavinë. Në vitet 1952–1954 studioi në Beograd për filologji e filozofi. Më 1954 vajti në Itali (Romë), ku më 1960 vazhdoi studimet doktorale në teologji, që i kish ndërprerë më 1940. Në vitin 1961, Vatikani e dërgoi në SHBA, si udhëheqës shpirtëror të shqiptarëve. Që prej vitit 1966, atje botoi të përtremuajshmen anglisht-shqip “Jeta Katholike Shqiptare” (Albanian Catholic Life). Tri vite më vonë (1969), themeloi të parën kishë katolike shqiptare në SHBA, Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë (sot Zoja e Shkodrës), në Bronks, Nju-Jork. Mesha e parë në të u mbajt në Krishtlindjet e vitit 1969. Më 1973 themeloi “Qendrën Katolike Shqiptare” (“Albanian Catholic Center”). Në janar 1974, pas botimit të “Shkrimit të Shenjtë (Katër Ungjijtë dhe punët e apostujve)”, Papa Pali VI (1963–1978) i dha titullin e nderit Imzot, për meritat e tij ndaj Shqipërisë dhe për punën baritore me shqiptarët në emigracion. U nda nga jeta në spitalin “Albert Einstein”, në Nju-Jork, në vitin 1989. (Në fotografi: Zef Oroshi)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2017, faqe 153–154.
Fotografia: © https://ulqini-online.com/sajti/?p=23985
Përpunim grafik: AHCF




