Në Gjirokastër lindi Fatmir Haxhiu, piktor shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XX, Piktor i merituar dhe Mjeshtër i Madh i Punës. Fillimisht studioi në Beograd dhe Zagreb për oficer artilerie, por pasioni i tij ishte piktura. Pas vitit 1948, me kthimin në Shqipëri deri në vitet 1960, Haxhiu kreu detyra të ndryshme si ushtarak i lartë. Pasi kreu Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1965), artisti ishte pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat kombëtare kryesisht me kompozime me temë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Veprat e Fatmir Haxhiut kryesisht janë tablo shumëfigurëshe kompozicionale, ku artisti ka skalitur karaktere e personazhe qoftë historike, por edhe figura të tjera pjesëmarrëse në tablo. Ai është autor i tablosë “Shpallja e Republikës” (1976) dhe i disa tablove kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2001. (Në fotografi: Vepra e Haxhiut “Çajmë rrethime”, 1978, vaj në kanavacë.)
Teksti: Ylli Drishti, kurator arti.
Fotografia: © https://galeriakombetare.gov.al/en/collection/fatmir-haxhiu.shtml
Përpunim grafik: AHCF




