Në Vlorë lindi Eqrem Vlora, veprimtar politik, diplomat. Kreu liceun “Theresianum” në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. Shërbeu në poste me rëndësi në Perandorinë Osmane. Më vonë, u bashkua me xhaxhanë e tij, Ismal Qemal Vlorën, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë, u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë. Ai ishte një mbështetës i njohur i Fuqive Qendrore gjatë Luftës së Parë Botërore, arsye për të cilën ai u arrestua nga italianët, por më pas u bë një promotor i marrëdhënieve të ngushta midis Italisë dhe Shqipërisë. Në vitin 1924, zgjidhet deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese dhe më 1925, u zgjodh senator. Ai ka shërbyer në misione të ndryshme diplomatike. Në vitin 1928 u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e më 1930, në Athinë. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme (1933) dhe deputet i Vlorës (1937). Në vitin 1942, në qeverinë e Mustafa Krujës emërohet ministër i Tokave të Lirueme (territoret etnike shqiptare të ish-Mbretërisë Jugosllave, që iu bashkuan Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore). Në kabinetin e qeverisë së Fiqri Dines (1944) mbajti postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, emigroi në Itali e më pas në Austri. Eqrem Vlora ka shkruar libra me kujtime, studime historike, kulturore e etnografike, si: “Aus Berat und vom Tomorr”, Sarajevë 1911 (“Nga Berati në Tomor dhe kthim”, Tiranë 2003), “I dolori del popolo Albanese” (“Dhembjet e popullit shqiptar), “Lebenserinnerungen” I, II, Munih 1968, (“Kujtime”, I, II, Tiranë 2001) etj. U nda nga jeta në Austri, në vitin 1964. Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes, eshtrat e Eqrem Vlorës kthehen në Shqipëri, duke përmbushur kështu amanetin e tij për t’u prehur në atdhe. (Në fotografi: Eqrem Vlora)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2899.
Fotografia: © https://www.radiandradi.com/eqrem-vlora-beu-i-fundit-30-fakte-nga-jeta-e-eqrem-bej-vlores/
Përpunim grafik: AHCF




