Në Romë u nda nga jeta Eleuterio Francesco Fortino, prift arbëresh, i etiketuar nga shtypi i italian si “gjiganti i ekumenizmit”. Lindi në Shën Benedhiti (it. San Benedetto Ullano) të Kalabrisë, në vitin 1938. Gjatë jetës në Romë e Vatikan, prej vitit 1965 ku punoi më detyra të ndryshme, ishte protagonist i dialogut ekumenik dhe rolin e zv.sekretarit të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve. Njohës i thellë i teologjisë, i spiritualitetit e i kulturës, komunikues i jashtëzakonshëm, i përzemërt e mikpritës, kultivues e urëlidhës i marrëdhënieve mes njerëzve. Eleuterio Fortino dha një kontribut prej protagonisti tejet të rëndësishëm për dialogun ekumenik të kishave, për mbarë komunitetin e arbëreshëve të Italisë si dhe për popullin shqiptar në përgjithësi. Themeloi në Romë rrethin kulturor të Arbëreshëve të Italisë “Besa” duke e bërë Kishën e Shën Atanazit, ku shërbente, pikë referimi për të gjithë besimtarët e krishterë arbëreshë të Romës. Gjatë veprimtarisë së tij ka botuar shumë shkrime teologjike, kulturore, kombëtare dhe shoqërore. Në anën kulturore kombëtare shqiptare ai qe hallkë mes botës arbëreshe e botës shqiptare. Një jetë e tërë në shërbimit të bashkimit të të krishterëve e të të gjithë shqiptarëve. (Në fotografi: Eleuterio Francesco Fortino)
Teksti: http://www.archivioradiovaticana.va/storico/2012/09/22/mons_eleuterio_f_fortino…
Fotografia: © https://www.vaticannews.va/sq/kisha/news/2021-09/mons-eleuterio-fortino…




