Në Hanover Skuer (Londër) lindi Edit Durham (Mary Edith), antropologe, shkrimtare, publiciste dhe udhëpërshkruese. Studioi në Kolegjin Bedford (1878–1882), pastaj në “Royal Academy Schools”. Babai i saj, Artur Eduard Durham, ishte mjek, kirurg i njohur në Londër. Edit Durham u bë e njohur me udhëtimet e saj në disa vende të Ballkanit. Më 1900 nis udhëtimet për herë të parë, për shkaqe shëndetësore. Në udhëtimet e saj u përqendrua veçanërisht në Shqipëri, ku u njoh me kulturën, historinë, traditat, zakonet e deri te kërkesat politike të shqiptarëve. Si njohëse e mirë e rrethanave ballkanike, ajo i kishte informuar zyrtarët e lartë britanikë për ngjarjet e rëndësishme në Shqipëri, sidomos për masakrat e ushtrive të Aleancës Ballkanike mbi popullsinë civile shqiptare gjatë viteve 1912–1913. Ndërkaq, kontributet e saj u botuan në revista e periodikë të ndryshëm në Britani. Për shkak të interesimeve të saj dhe të rezultateve në fushën e antropologjisë, ajo u bë një anëtare e rëndësishme e Institutit Antropologjik Mbretëror. Edit Durham shkroi shtatë libra mbi çështjet e Ballkanit, ndër të cilat: “Shqipëria e Epërme” (1909); “Lufta për Shkodrën” (1914); “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike” (1920); “Mbi origjinën e disa fiseve, kanune dhe zakone të vendeve të Ballkanit” etj. Për shkak të afërsisë së krijuar me malësorët shqiptarë dhe respektit që krijuan për të, u quajt “Mbretëresha e Malësisë”. Gjatë kohës së qëndrimit në rajonin e Ballkanit, Edit Durham mblodhi shumë dokumente dhe materiale të ndryshme që lidheshin me kulturën, traditën, antropologjinë dhe aspekte të tjera të rëndësishme nga jeta e përditshme në Shqipëri. Dokumentet dhe materialet e saj të mbledhura gjatë kohës së udhëtimeve në Ballkan mbahen nga Instituti Antropologjik Mbretëror në Londër. Ditarët e saj gjenden në Muzeun Bankfield, Halifax, së bashku me koleksionet e saj të veshjes ballkanike dhe të stolive, të cilat ia dhuroi muzeut në vitin 1935. Veprat e Edit Durhamit për Shqipërinë dhe shqiptarët kanë vlerë kulturore, etnografike dhe historike. U nda nga jeta në Londër (Britania e Madhe), në vitin 1944. (Në fotografi: Edit Durham)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 364–365.
Fotografia: © The British Council, Tiranë.
Përpunim grafik: AHCF




