Në Prishtinë, në Podujevë, në Gjilan dhe në Ferizaj u organizuan demonstrata masive e rinisë dhe e popullit shqiptar të Kosovës, me kërkesën kryesore që Kosovës t’i njihej statusi i republikës në kuadër të Federatës Jugosllave. Në periudhën pararendëse, me diskutimet për ndryshimet kushtetuese, me Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, me manifestimet me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe me lëvizjet studentore në Evropë, në Kosovë tashmë u krijua një klimë politike e favorshme për kërkesa rreth avancimin të të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi. Kështu, gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 1968, në shumë qytete të Kosovës shpërthyen demonstratat masive të rinisë dhe të popullit shqiptar, të cilat patën si kërkesë kryesore njohjen e statusit të republikës për Kosovën dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Demonstrata më e madhe dhe më masive ishte ajo e Prishtinës, ku demonstruesit, me pankarta dhe duke brohoritur parulla, u nisën nga Fakulteti Filozofik (sot Filologjik), duke marshuar në drejtim të qendrës së qytetit, deri te Kuvendi i Kosovës, për t’u ndalur te sheshi para Teatrit Krahinor. Demonstruesit gjatë marshimit në qytet u ndeshën në qëndrimin e ashpër të organeve policore. Demonstrata e Prishtinës zgjati prej orës 15:40 e deri në orët e vona të mbrëmjes së 27 nëntorit të vitit 1968. Edhe në demonstratat që u organizuan në Gjilan, në Ferizaj e në Podujevë, demonstruesit u përleshën me forcat policore. Kërkesat dhe parullat kryesore të demonstruesve ishin: “Duam Republikë”, “Vetëvendosje deri në shkëputje”, “Kushtetutë”, “Universitet”, “Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, “Për të drejtat tona edhe gjak do të derdhim” etj. Demonstratat e vitit 1968 për herë të parë nxorën në shesh problemin e madh shqiptar në Jugosllavi, të cilin deri atëherë pushteti jugosllav ishte përpjekur ta mbante të mbyllur në mënyra të ndryshme. Pavarësisht nga ashpërsia me të cilën u përgjigj pushteti i atëhershëm, demonstratat patën efekt jashtëzakonisht të rëndësishëm në përshpejtimin e disa proceseve në Kosovë: u shpejtua themelimi i Universitetit të Prishtinës, u miratuan amendamentet kushtetuese me të cilat u avancua statusi i Kosovës, u përshpejtua zhvillimi ekonomik i saj, u themeluan institucione të reja dhe intensifikua bashkëpunimi kulturor dhe arsimor me Shqipërinë. (Në fotografi: Moment nga demonstrata masive, 1968.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 311.
Fotografia: © https://flasshqip.ca/kulture/histori/7932-demonstratat-historike-te-vitit-1968-ne-kosove-nga-jusuf-buxhovi
Përpunim grafik: AHCF




