Në Pejë të Kosovës u nda nga jeta Ali Hadri, historian, profesor, akademik. Lindi në Fier-Shegan të Lushnjës, në vitin 1928. Shkollën e mesme e kreu në Gjakovë, ndërsa studimet për histori i kreu në Fakultetin Filozofik të Beogradit (1956). Mbrojti doktoratën në Universitetin e Prishtinës në vitin 1970. Ishte profesor ordinar i Universitetit të Prishtinës, dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, kryeredaktor i revistave “Përparimi”, “Gjurmime albanologjike” (seria historike) dhe i revistës “Kosova” të Institutit të Historisë. Ishte drejtori i parë i Institutit të Historisë së Kosovës ndër anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1975). Ishte delegat në Kuvendin Krahinor, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Jugosllavisë, anëtar i shumë redaksive dhe forumeve profesionale të historianëve të ish-Jugosllavisë. Është autor i disa monografive shkencore, studimeve të veçanta dhe teksteve shkollore të historisë së popullit shqiptar, ndër të cilat: “Pasqyrë e historisë nacionale shqiptare” (bashkautor Milan Perkaj, 1960), “Krahina autonome e Kosovës” (bashkautor Dushan Pejanoviq, 1967), “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe epoka e tij” (1968), “Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë 1941–1945” (1971), “Kritikë historiografike I” (1973), “Gjakova në Lëvizjen Nacionalçlirimtare” (1974), “Ali Kelmendi (1900–1939)” (1984), dhe vepra e botuar pas vdekjes “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave” (2003). Shumica e këtyre monografive janë botuar edhe në gjuhën serbokroate. Ali Hadri shkroi edhe një sërë artikujsh për probleme të historisë bashkëkohore të popullit shqiptar, të historisë së Kosovës midis dy luftërave botërore, të historisë së Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe zhvilloi polemika shkencore me historianë serbë dhe jugosllavë rreth historisë së re të popullit shqiptar, veçmas rreth Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë dhe në Shqipëri. Pas demonstratave të vitit 1981 u shkarkua nga detyra e drejtorit të Institutit të Historisë, u përjashtua nga puna në Universitetin e Prishtinës dhe u akuzua si nacionalist nga autoritetet e pushtetit. (Në fotografi: Ali Hadri)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 573–574.
Fotografia: © https://ashak.org/anetaret/ali-hadri/
Përpunim grafik: AHCF




